Term i referencës për studim kërkimor mbi modelet e qëndrueshme të biznesit
14 ditë
Voice of Roma, Ashkali and Egyptians in Kosovo
Prishtinë
Te tjera

Term i referencës për studim kërkimor mbi modelet e qëndrueshme të biznesit

Informacion i përgjithshëm:

OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjëve dhe Egjiptianëve” (Voice of Roma, Ashkali and Egyptians), me seli në Prishtinë, është një organizatë jofitimprurëse që vepron për përmirësimin e kushteve të jetesës së komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Organizata synon të kontribuojë në integrimin e plotë të këtyre komuniteteve në shoqërinë kosovare përmes avokimit për të drejtat e tyre, përmirësimit të kushteve të banimit, promovimit të punësimit dhe krijimit të mundësive të reja ekonomike. Një ndër prioritetet kryesore të organizatës është fuqizimi ekonomik dhe politik i grave nga këto komunitete, si pjesë thelbësore e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Kontesti i ndërhyrjes:

Organizata “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve” ka zhvilluar një angazhim afatgjatë në mbrojtjen nga diskriminimi dhe në fuqizimin ekonomik e politik të grave nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane. Përmes ofrimit të trajnimeve profesionale, zhvillimit të shkathtësive të buta, programeve për fuqizim politik dhe ndërmjetësimit në punësim, organizata ka synuar të krijojë mundësi të reja për pjesëmarrjen aktive dhe të barabartë të grave në jetën ekonomike dhe shoqërore.

Në këtë vazhdë, kjo ndërhyrje synon të ndërtojë mbi përvojën ekzistuese dhe të krijojë baza të qëndrueshme për vetëpunësim dhe zhvillim ekonomik përmes një hulumtimi të thelluar të tregut. Qëllimi i këtij hulumtimi është të identifikojë dhe analizojë modelet e qëndrueshme të biznesit që mund të funksionojnë në kontekstin socio-ekonomik të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, me një fokus të veçantë tek gratë. Rezultatet e këtij studimi do të ndihmojnë në hartimin e ndërhyrjeve të orientuara drejt vetëpunësimit dhe krijimit të bizneseve të vogla dhe të mesme që i përgjigjen nevojave reale të komunitetit dhe kontribuojnë në reduktimin e pabarazive ekonomike dhe sociale.

Arsyetimi i thirrjes:

Papunësia dhe përjashtimi ekonomik vazhdojnë të jenë ndër sfidat kryesore për gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Në këtë kontekst, është thelbësore të zhvillohet një hulumtim i thelluar për të kuptuar konceptin e biznesit të qëndrueshëm (viable) në realitetin lokal, duke identifikuar sektorët dhe fushat që kanë potencial për zhvillimin e bizneseve të tilla me fokus të veçantë tek gratë. Ky hulumtim do të analizojë karakteristikat që e bëjnë një biznes të jetë i qëndrueshëm dhe do të vlerësojë potencialin e grave për t’u përfshirë në punësim të qëndrueshëm, duke marrë parasysh sfidat që lidhen me kushtet e vështira ekonomike dhe edukimin e kufizuar. Gjithashtu, do të eksplorohen mundësitë që këto gra kanë për të gjeneruar fonde apo për të bashkëfinancuar nisma të vetëpunësimit, si dhe do të shqyrtohet aksesi i tyre në burime jetike si toka, për të kuptuar se si disavantazhet ekonomike dhe sociale ndikojnë në aftësinë e tyre për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike. Ky hulumtim synon të ofrojë baza të qarta për ndërhyrje strategjike dhe politika që nxisin vetëpunësimin dhe fuqizimin ekonomik të grave nga këto komunitete.

Pyetjet Kerkimore:

  • Çfarë është një biznes i qëndrueshëm (viable)?
  • Cilat biznese mund të konsiderohen si të qëndrueshme në kontekstin socio-ekonomik të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian?
  • Cilat fusha/sektorë kanë potencial për zhvillim të bizneseve të qëndrueshme me fokus tek gratë?
  • Çfarë elementesh duhet të përmbajë një biznes që të jetë i qëndrueshëm?
  • Cili është potenciali i grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian për punësim të qëndrueshëm duke marrë parasysh sfidat që kanë në arsim dhe ekonomi?
  • Çfarë mundësish kanë këto gra për të gjeneruar fonde për fillimin e një biznesi apo për të bashkëfinancuar iniciativa të ngjashme?
  • A kanë gratë akses në tokë apo burime të tjera të nevojshme për zhvillimin e bizneseve, dhe si ndikon kjo në pozitën e tyre ekonomike dhe sociale?

Detyrat dhe përgjegjësitë:

Eksperti/ja për këtë studim do të ketë një rol kyç në zhvillimin dhe zbatimin e të gjithë ciklit të hulumtimit. Përgjegjësitë e tij/saj do të përfshijnë:

Zhvillimi i metodologjisë së hulumtimit

  • Hartimi i një metodologjie të kombinuar (cilësore dhe sasior) që reflekton realitetin dhe kompleksitetin e kontekstit socio-ekonomik të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
  • Përzgjedhja e mostrës dhe mjeteve të duhura për mbledhjen e të dhënave (pyetësorë, udhërrëfyes për intervista dhe fokus-grupe, etj.).
  • Sigurimi që metodologjia është gjithëpërfshirëse, gjinore dhe kulturore e ndjeshme.

Mbledhja dhe analiza e të dhënave në terren

  • Zbatimi i intervistave me individë kyç (gratë nga komunitetet përkatëse, udhëheqës lokalë, përfaqësues të institucioneve dhe OJQ-ve, etj.).
  • Organizimi dhe moderimi i fokus-grupeve me gra të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për të kuptuar më mirë perspektivat dhe nevojat e tyre në lidhje me vetëpunësimin dhe bizneset e qëndrueshme.
  • Kryerja e anketave për të mbledhur të dhëna kuantitative që mbështesin gjetjet cilësore.
  • Analizimi i të dhënave të mbledhura duke përdorur mjete statistikore dhe analiza tematike për të nxjerrë përfundime të besueshme.

Konsultimi me aktorë lokalë dhe përfaqësues të komuniteteve

  • Angazhimi aktiv me përfaqësues të institucioneve lokale, organizatave të shoqërisë civile dhe vetë anëtarët e komuniteteve për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në realitet.
  • Inkorporimi i perspektivave të aktorëve të ndryshëm në gjetjet dhe rekomandimet e raportit.

Përgatitja e raportit përfundimtar

  • Hartimi i një raporti gjithëpërfshirës i cili përmbledh metodologjinë, analizën e të dhënave, gjetjet kryesore dhe rekomandimet praktike për ndërhyrje të mundshme.
  • Sigurimi që raporti të jetë i strukturuar mirë, gjuhësisht i qartë dhe i përshtatshëm për publik të ndryshëm – duke përfshirë politikëbërësit, OJQ-të dhe përfaqësues të komuniteteve.

Prezantimi i rezultateve dhe rekomandimeve

  • Paraqitja e rezultateve të hulumtimit përmes një prezantimi formal për stafin e organizatës per te marre komentet dhe aprovimin final.
  • Finalizimi i raportit
  • Përgatitja e materialeve vizuale apo përmbledhjeve ekzekutive për të lehtësuar kuptimin dhe përdorimin e gjetjeve në planifikimin e ardhshëm të ndërhyrjeve.

Kualifikimet dhe përvoja e kërkuar:

  • Diplomë universitare (së paku nivel Bachelor, preferohet Master) në një nga fushat: Shkenca Sociale, Ekonomi, Zhvillim Ndërkombëtar, Studime Gjinore, Sociologji, Biznes ose fusha të ndërlidhura.
  • Kualifikime shtesë në metodologji kërkimore ose analiza të tregut përbëjnë përparësi.
  • Minimum 5 vite përvojë në hulumtime sociale, ekonomike apo të tregut, me theks në analiza për zhvillim komunitar, biznese të vogla dhe të mesme, ose vetëpunësim.
  • Përvojë e mëparshme në hulumtime që përfshijnë grupe të margjinalizuara, në veçanti gratë dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (e preferuar).
  • Aftësi të dëshmuara në hartimin dhe zbatimin e metodologjive të kombinuara (cilësore dhe sasiore).
  • Përvojë në analizë të tregut lokal, vlerësim të potencialit ekonomik dhe identifikim të sektorëve me mundësi zhvillimi të qëndrueshëm.
  • Aftësi shumë të mira të analizës kritike, përpunimit të të dhënave dhe raportimit të gjetjeve në mënyrë të qartë dhe të strukturuar.

Rezultatet e pritshme

  • Raport i detajuar me gjetje për modelet e qëndrueshme të biznesit dhe potencialin e grave për pjesëmarrje në to.
  • Lista e fushave prioritare për zhvillimin e bizneseve të reja nga gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
  • Rekomandime për politika dhe ndërhyrje që mbështesin vetëpunësimin dhe fuqizimin ekonomik të grave.

Kushtet për aplikim:

  • CV që përfshin përvojën relevante dhe referencat
  • Një portofol të punëve të mëparshme që deshmojne punen e ngjajshme
  • Një propozim financiar për shërbimet e ofruara
  • Eksperti do të angazhohet jo me teper se 30 dite pune.

Mënyra e aplikimit:

Oferta teknike dhe financiare duhet të dërgohet në mënyrë elektronike në email adresën [email protected]. Ju lutemi shkruani “Termi i Referencës për hulumtim kerkimore mbi modelet e qendrueshme te biznesit”.

Çdo ofertë që dërgohet pas afatit të përcaktuar më poshte nuk do të merret parasysh.

Vetëm ofertuesit e përzgjedhur do të kontakohen!

Afati i fundit për aplikim është deri më datë 03.06.2025

 

10622
214
1883
7173