Ekspert lokal për hartimin e Udhëzuesit për profilizimin, vlerësimin e nevojave, dhe fuqizimin e vazhdueshëm të familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS)
  • /
13 ditë
Terre des hommes
Prishtinë
Te tjera
Përshkrimi

TERMAT E REFERENCËS

Ekspert lokal për hartimin e Udhëzuesit për profilizimin, vlerësimin e nevojave, dhe fuqizimin e vazhdueshëm të familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS)

Projekti: “Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë", në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER).

Vendi: Prishtinë
Raporton tek: Menaxheri i Programit
Datë: Maj – Shtator 2026 (10 ditë pune)

I. Informacione të përgjithshme

Fondacioni Terre des hommes Lausannë në Kosovë (në tekstin e mëtejmë TdhK) është një organizatë joqeveritare që punon vazhdimisht në forcimin e sistemit kombëtar dhe lokal të mbrojtjes së fëmijëve, për të siguruar ofrim cilësor të shërbimeve duke përfshirë përfshirjen e grupeve të margjinalizuara shoqërore. Fushat e ekspertizës variojnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta psiko-sociale me fëmijët e cenueshëm, familjen dhe komunitetet e tyre deri te fuqizimi i politikave dhe institucioneve lokale, rajonale, deri te forcimi i politikave dhe institucioneve në nivel kombëtar, me synimin e ofrimit të shërbimeve të ndjeshme ndaj fëmijëve përmes strukturave, politikave, standardeve të përshtatshme, buxhetimit dhe procedurave.

TdhK ka tre programe kryesore të ndërhyrjeve: 1) Mbrojtja e Fëmijëve 2) Migrimi dhe Antitrafikimi dhe 3) Drejtësia për të Mitur.

Në të njëjtën kohë, TdhK përmes programeve të saj mbështet institucionet në forcimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve përmes:

  1. Angazhimi në ndërhyrjet politike dhe/ose dialogu me Ministritë, Komisionet Parlamentare, Institucionet Akademike dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm;
  2. Mbështetja e përpjekjeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Kodit të Drejtësisë për të Miturit, nëpërmjet hartimit të të gjitha akteve nënligjore dhe dokumenteve përkatëse që rrjedhin prej tyre;
  3. Mbështetja e kapaciteteve të strukturave brenda sistemit kombëtar të mbrojtjes së fëmijëve dhe
  4. Pilotimi i politikave të reja të shërbimit social me qëllim të nxjerrjes së mësimeve dhe/ose replikimit.

II. Informacione rreth projektit

Fondacioni Terre des hommes Lausannë në Kosovë është duke zbatuar projektin "Drejtësia sociale për Romët, Ashkalit dhe Egjiptianët në Kosovë", në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER).

Qëllimi i përgjithshëm i konsorciumit dhe vizioni është një shoqëri multi etnike dhe multi kulturore në Kosovë, ku pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian trajtohen si të barabartë nga shteti dhe nga shoqëria, ku kanë qasje dhe mundësi të barabarta sikur të gjithë qytetarët e tjerë dhe ku romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët njohin të drejtat dhe detyrat e tyre.

Përmes një sërë veprimesh avokuese, konsorciumi ka ndikuar në ndërtimin e kornizës ligjore dhe politikat e Qeverisë dhe ka ndikuar në marrjen e vendimeve që kanë avancuar përfshirjen sociale të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Duke mobilizuar bashkëpunëtorët në nivel lokal dhe nacional, konsorciumi krijoi me sukses sinergjinë e nevojshme për të rritur dhe avancuar politikat dhe integrimin institucional të intervenimeve që tashmë ishin testuar dhe zbatuar me sukses.

Sistemi i mbrojtjes sociale në Kosovë, përmes Skemës së Ndihmës Sociale (SNS), synon të ofrojë mbështetje financiare dhe sociale për familjet në nevojë, me qëllim të zbutjes së varfërisë dhe përmirësimit të mirëqenies së tyre. Megjithatë, sfidat e vazhdueshme që lidhen me identifikimin e saktë të përfituesve, profilizimin e familjeve dhe vlerësimin e nevojave të tyre dinamike kanë ndikuar në efikasitetin dhe targetimin e ndërhyrjeve. Pra, kjo situatë shpesh kufizon mundësinë për të identifikuar në mënyrë gjithëpërfshirëse faktorët socio-ekonomikë që ndikojnë në gjendjen e familjeve, si dhe për të planifikuar ndërhyrje të qëndrueshme dhe të bazuara në nevoja reale, dhe për të promovuar fuqizimin ekonomik të tyre si një komponent thelbësor për dalje afatgjatë nga varfëria.

Po ashtu, grupet e margjinalizuara, përfshirë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe familjet në situata të cenueshme, përballen me barriera shtesë në qasje dhe përfitim nga shërbimet sociale, çka kërkon një qasje më të strukturuar dhe të ndjeshme ndaj diversitetit dhe përfshirjes sociale.

Marrë parasysh këtë më lart, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka iniciuar hartimin e një Udhëzuesi për profilizimin e familjeve në SNS dhe vlerësimin e nevojave të tyre të vazhdueshme. Ky udhëzues synon të krijojë një kornizë të standardizuar për profesionistët e fushës, duke përmirësuar cilësinë e të dhënave, saktësinë e vlerësimeve dhe efektivitetin e ndërhyrjeve sociale, në përputhje me praktikat më të mira dhe parimet e përfshirjes, fuqizimit dhe barazisë sociale.

Objektivi i shërbimit

Qëllimi i këtij angazhimi është zhvillimi i një udhëzuesi të standardizuar që mbështet institucionet relevante në profilizimin e saktë të familjeve në SNS, identifikimin sistematik të nevojave sociale dhe ekonomike, planifikimin më efektiv të ndërhyrjeve dhe shërbimeve, si dhe në fuqizimin e përfituesve të kësaj skeme. Për këtë arsye, Fondacioni Terre des hommes Lausannë në Kosovë (TdhK) do të kontraktojë një ekspert lokal i/e cila ka kapacitete njerëzore, etike, profesionale dhe teknike për për hartimin e Udhëzuesit për profilizimin, vlerësimin e nevojave dhe fuqizim të vazhdueshëm të familjeve në SNS. Duke pasë parasysh rëndësinë e standardizimit dhe përmirësimit të shërbimeve në kuadër të Skemës së Ndihmës Sociale, është e domosdoshme të zhvillohet një udhëzues gjithëpërfshirës, i cili kërkon përfshirjen dhe bashkëpunimin e të gjithë akterëve përkatës. Eksperti do të ofrojë ekspertizë të thellë dhe do të lehtësojë procesin e hartimit të udhëzuesit, duke siguruar që ai të mundësojë profilizimin e saktë të familjeve, identifikimin sistematik të nevojave të tyre, si dhe të kontribuojë në fuqizimin e përfituesve dhe përmirësimin e ofrimit të shërbimeve sociale.

PËRSHKRIMI I PUNËS:

Funksione thelbësore të konsulencës:

  • Eksperti do të kryejë detyrat e tyre në lidhje me statutin e TdhK dhe Politikën e Mbrojtjes së Fëmijëve të TdhK.
  • Eksperti do të marrë përsipër dhe do të kryejë detyrime në interes të TdhK në të gjitha rrethanat.
  • Eksperti do të drejtojë aktivitetet dhe angazhimet e tyre pavarësisht nga bindjet politike, racore apo fetare.
I. Përgjegjësitë:

Në bashkëpunim të ngushtë me TdhK dhe Departamentin e Skemave Sociale/Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, eksperti/ja do të kenë përgjegjësitë në vijim:

  • Të rishikojë legjislacionin në fuqi, politikat dhe dokumentet relevante që lidhen me Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) dhe shërbimet sociale.
  • Të analizojë praktikat ekzistuese të profilizimit të familjeve dhe vlerësimit të nevojave në nivel qendror dhe lokal.
  • Të identifikojë sfidat, boshllëqet dhe nevojat për përmirësim në proceset aktuale.
  • Të zhvillojë një metodologji të standardizuar për profilizimin e familjeve në SNS dhe vlerësimin e nevojave të tyre.
  • Të hartojë indikatorë, kritere dhe mjete praktike për përdorim nga profesionistët e shërbimeve sociale.
  • Të sigurojë që udhëzuesi të jetë i ndjeshëm ndaj nevojave të grupeve të margjinalizuara dhe të promovojë përfshirjen sociale.
  • Të organizojë dhe lehtësojë konsultime me palët relevante (institucione, punëtorë socialë, organizata të shoqërisë civile, etj.).
  • Të përgatisë draftin e parë të Udhëzuesit dhe ta prezantojë atë për komente dhe validim, përgjatë një punëtorie një-ditore.
  • Të inkorporojë komentet dhe sugjerimet e pranuara dhe të finalizojë dokumentin.
  • Të sigurojë që udhëzuesi të jetë praktik, i zbatueshëm dhe i përshtatur për përdorim në terren.
  • Të ofrojë mbështetje gjatë procesit të pilotimit, dhe të rekomandojë përmirësime të mëtejshme.
  • Të raportojë rregullisht mbi progresin e punës tek TdhK dhe Ministria përkatëse;
  • Të respektojë afatet dhe planin e punës të dakorduar paraprakisht;
  • Të mbajë vazhdimisht një qasje neutrale dhe profesionale;
  • Te respektojë statutin e Tdh-së dhe Politikën e Tdh-së për mbrojtjen e fëmijëve.
II. Koha

Detyra është paraparë të kryhet brenda 10 ditëve të punës brenda periudhës nga muaji maj – shtator, 2026.

Aktiviteti

Nr. i ditëve

Rishikimi i legjislacionit në fuqi, politikave dhe dokumenteve relevante që lidhen me Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) dhe shërbimet sociale/ Analizë e praktikave ekzistuese të profilizimit të familjeve dhe vlerësimit të nevojave në nivel qendror dhe lokal.

1

Identifikimi i sfidave, boshllëqeve dhe nevojave për përmirësim në proceset aktuale / Zhvillimi i një metodologji të standardizuar për profilizimin e familjeve në SNS dhe vlerësimin e nevojave të tyre, dhe me rëndësi të madhe – fuqizimi i tyre ekonomik.

2

Organizimi dhe lehtësimi i konsultimeve me palët relevante (institucione, punëtorë socialë, organizata të shoqërisë civile, etj., dhe përgatitja e draftit të parë të Udhëzuesit/Preznatimi i draftit për komente dhe validim, përgjatë një punëtorie një-ditore.

3

Reflektimi i komenteve dhe sugjerimeve nga grupi punues, stafi i TdhK-së, dhe stafi kompetent nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare– Departamenti i Skemave Sociale, si dhe dorëzimi i versionit përfundimtar i udhëzuesit.

3

Raporti përfundimtar, duke përfshirë pasqyrën e të gjithë procesit; arritjet kryesore, sfidat, mësimet e nxjerra dhe rekomandimet.

1

Totali

10

* Datat vendosen pas një marrëveshjeje të ndërsjellë midis Ekspertit/Ekspertes, Ministrisë përkatëse, dhe Terre des hommes në Kosovë.

III. Kriteret e Përzgjedhjes
  • Diplomë universitare në shkenca sociale, punë sociale, ekonomi, politika publike, ose fusha të ngjashme.
  • Së paku 5 vite përvojë profesionale në fushën e mbrojtjes sociale, shërbimeve sociale ose politikave sociale.
  • Përvojë e dëshmuar në hartimin e dokumenteve strategjike, udhëzuesve, ose politikave publike.
  • Njohuri të thelluara mbi sistemin e mbrojtjes sociale dhe Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) në Kosovë.
  • Përvojë në zhvillimin e metodologjive për vlerësimin e nevojave dhe profilizimin e përfituesve.
  • Aftësi të shkëlqyera analitike dhe në hartimin e raporteve dhe dokumenteve profesionale.
  • Përvojë në facilitimin e proceseve konsultative dhe bashkëpunimin me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile.
  • Njohuri dhe ndjeshmëri ndaj çështjeve të përfshirjes sociale dhe grupeve të margjinalizuara (p.sh. komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian).
  • Aftësi të mira komunikimi dhe koordinimi me palë të ndryshme të interesit.
  • Njohuri e shkëlqyer e gjuhës shqipe (njohja e gjuhës angleze është përparësi).

Kriteret

Maksimumi i pikëve

Përvoja e ekspertit në procese të këtilla angazhimi (të bashkëngjitet CV). Vlerësimi bëhet në bazë të kualifikimeve dhe përvojës.

30

Metodologjia e propozuar për realizimin e shërbimit është e përshtatshme, ndërsa plani i punës është real dhe e përmbush qëllimin.

35

Oferta financiare

35

Totali

100

Si të aplikoni?

Të gjithë të interesuarit që i përmbushin kriteret inkurajohen fuqishëm të aplikojnë dhe t'i dorëzojnë dokumentet e mëposhtme në [email protected]

  • CV professionale në gjuhën angleze;
  • Një letër të motivimit;
  • Metodologjinë e punës;
  • Ofertën financiare neto;

Aplikimi për këtë shërbim do të jetë i hapur nga 29 prill deri më 12 maj, 2026, në orën 17:00. Ju lutemi shkruani “Ekspert lokal për hartimin e Udhëzuesit për profilizimin, vlerësimin e nevojave, dhe fuqizimin e vazhdueshëm të familjeve në Skemën e Ndihmës Sociale (SNS)” në subjekt të email-it.

Ju lutemi vini re se aplikacionet e pranuara pas afatit nuk do të merren parasysh.

Politika për Mbrojtjen e Fëmijëve:

Të zotohet për të respektuar Menaxhimin e Rrezikut të Tdh-së d.uke përfshirë: Kodin Global të Mirësjelljes, Zotimet për Mbrojtjen e Fëmijëve, Politikën Anti-Mashtrim/Korrupsion. Politikën e Sigurimit dhe Rregullorën e përgjithshme për mbrojtjen e të dhënave.

Për shkak të numrit të madh të aplikimeve, TdhK nuk mund t'i përgjigjet të gjithëve individualisht. Ju lutemi kini parasysh se vetëm kandidatët që hyjnë në listën e ngushtë do të kontaktohen.

13362
207
2093
7190